Është diplomuar jurist me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Tiranës. Në tetor 2003 ka përfunduar me sukses studimet për Gradën Shkencore “Master of Arts” për Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, diplomë e lëshuar bashkërisht nga Universiteti i Bolonjës, Universiteti i Sarajevës dhe i një rrjeti të gjerë universitetesh të mirënjohura ndërkombëtare dhe të mbështetura si program nga Bashkimi Evropian dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë. Në maj 2010 ka përfunduar studimet për Gradën Shkencore “Doktor i Shkencave në të Drejtën Publike” në Universitetin e Tiranës me një vlerësim 99/100. Në mars 2016 ka fituar titullin Akademik “Profesor i Asociuar” në Drejtësi. Krahas këtyre studimeve, ka përfunduar me sukses shkolla verore, kurse kualifikimi dhe studimeve pasuniversitare të përqendruara në fushën e të Drejtave të Njeriut, të Drejtës Kushtetuese, të Drejtës Penale, Teknologjisë së Lartë dhe të Drejtave të Njeriut, Studime Gjinore dhe të Grave, të Drejtës Evropiane, të Drejtës Ndërkombëtare etj.

Avokat Prof. Daci ka një përvojë profesionale dhe akademike që shtrihet në një harko kohor mbi 16 vjetësh. Duke filluar nga praktikant në disa organizata ndërkombëtare, në asistent avokat dhe fillimi i punës së Av. Prof. Dacit në administratë ka qenë si specialist i marrëdhënieve me jashtë dhe integrimit evropian pranë Ministrisë së Financave të RSH. Në të njëjtën kohë ka shërbyer si anëtar i Grupit të Punës Ndërministrorë të Punës me Konventat e OKB-së dhe anëtar Komitetit Ndërministror për Luftën Kundra Trafikut të Qenieve Njerëzore.

Ndërkohë, aktiviteti i Av. Prof. Daci në fushën e mësimdhënies ka filluar që në vitin akademik 2003-2004, menjëherë pas përfundimi të studimeve pasuniversitare për Gradën Shkencore Master. Pas këtij momenti, ka punuar me kohë të plotë pranë Universitetit “Luarasi” si pedagog i lëndëve  “E Drejtë Publike dhe “Të Drejtat e Njeriut”. Në këtë kuadër, në vitin 2006 ka publikuar botimin e parë të tekstit universitar të lëndës “Të Drejtat e Njeriut”. Në vijim filloi punë si këshilltar ndërkombëtar ligjor pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave të Kosovës në atë kohë nën Misionin UNMIK nga muaj gusht 2006 – mars 2008. Në mars 2008 rifilloi profesionin e avokatit të cilin e ka ushtruar gjatë kohës kur ka punuar si pedagog me kohë të plotë. Po në këtë vit është caktuar si Koordinator për Shqipërinë, Këshilltar dhe Bashkëdrejtues i Ekipit Vlerësues për projektin e hartimit të “Indeksit të Reformës Gjyqësore” projekt i Iniciativës së Shtetit të së Drejtës së Dhomës Amerikane të Avokatëve (ABAROLI), projekt i mbështetur financiarisht nga USAID. Pas mbarimit të këtij projekti, u emërua nga OSBE-ODIHR si Raportues për Shqipërinë “Për pavarësinë e gjyqësorit 2009” duke qenë edhe autor i këtij raporti. Në vitin 2010, u rikthye në Kosovë përsëri si Këshilltar Ndërkombëtar Ligjor pranë Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit tashmë të Republikës së Kosovës. Gjatë angazhimit të tij pranë Qeverisë së Kosovës, ka mundur të jetë autor i disa dokumenteve ligjore, projekt-akteve ligjore, udhëzuesve të cilat janë miratuar dhe përdorur në nivel Kosove. Po ashtu, në Kosovë në kuadër të Misioni të OSBE-së dhe Qendrës Juridike të Kosovës, ka shërbyer si trajnues i Gjyqtarëve të Kosovës për të Drejtën Evropiane dhe procesin e Integrimit Evropian. Me rikthimin në Tiranë në 2011, rifillon punën si profesor dhe avokat. Në vitin 2012, fitoi kontratën për të shërbyer si Këshilltar i jashtëm i Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës së RSH për projektin BERIS dhe arriti me sukses të jetë autori i ndryshimeve ligjore që bënë të mundur reformën e sistemit të inspektimit në RSH. Vlen të theksohet që në kuadër të këtij projekti ka hartuar ndryshime, shtesa dhe shfuqizime të rreth 80 ligjeve të cilat janë miratuar pa asnjë ndryshim nga Kuvendi i Shqipërisë. Pas këtij angazhimi Avokat Prof. Daci pati mundësinë të shërbejë si Këshilltar i Kryetarit të Gjykatës së Lartë të RSH dhe më pas Këshilltar Juridik dhe për Marrëdhëniet me Parlamentin i Ministrit të Financave. Në vijim ka punuar si profesor me kohë të plotë ose të pjesshme në Shqipëri dhe në Kosovë. Së fundmi duke filluar nga data 1 shtator 2017, Prof. Daci është përzgjedhur si anëtar i Bordit Këshillues të Ekspertëve Ligjorë dhe përfaqësues akademik për Shqipërinë i organizatës së mirënjohur ndërkombëtare “Fair Trials”

Ndërkohë, duhet theksuar që në çdo kohë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri krahas punëve të tjera që ka bërë, ka ushtruar gjithmonë profesionin e pedagogut të lëndës së të Drejtave të Njeriut, të Drejtës Kushtetuese, të Drejtës Publike dhe herë pas herë asaj Evropiane apo Ndërkombëtare pa asnjë shkëputje nga viti 2004-në vijim.

Në kuadër të karrierës si profesor dhe ekspert sidomos i të drejtave të njeriut, por jo vetëm, Avokat Prof. Daci, ka arritur të fitoi edhe çmime ndërkombëtare apo të marr mirënjohje për punën e tij në fushën e së drejtës dhe të Drejtave të Njeriut. Konkretisht në vitin 2014, u shpall fitues i konkursit ndërkombëtar të JucticeMakers të organizatës ndërkombëtare Internatinal Bridges to Justice me një projekt për të Drejtat e Njeriut.

Krahas punës si jurist, ekspert, avokat apo profesor, Avokat Prof. Daci ka arritur të jetë edhe autor i librit universitar për lëndën e të Drejtave të Njeriut me të cilët studiohet kjo lëndë në të gjitha universitetet e Shqipërisë, Shkollën e Magjistraturës dhe në disa universitete në Kosovë. Ai është edhe autor i një monografie tjetër në fushën e të Drejtës Kushtetuese dhe të Drejtës Ndërkombëtare, si dhe autor i 38 kumtesave në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare të universiteteve të mirënjohura si ai i Goethe University ne Frankfurt, Universitetit të Pragës, Akademisë së Shkencave të Moldavisë dhe Austrisë, Universitetit të Nova Goricës, etj.

Në të njëjtën kohë, Avokat Prof. Daci ka arritur të botojë 34 punime në revista kombëtare dhe ndërkombëtare, shumë nga të cilat me faktor impakti. Punimet e tij pjesa më e madhe janë në fushën e të drejtave të njeriut, të Drejtës Kushtetuese, Filozofisë së të Drejtës dhe lëmive të tjera të së drejtës dhe janë cituar nga shumë autor nëpër botë.

Avokat Prof. Daci është njohës i shkëlqyer i gjuhës angleze, Italiane dhe njohës shumë i mirë i gjuhës Turke dhe ka njohuri bazë të gjuhës Serbo-Kroate.

Avokat Prof. Daci si avokat ka përfaqësuar me sukses në fushën e të Drejtës Tregtare, Drejtës Civile, të Drejtës së Tatim Taksave dhe asaj Penale etj, shumë klientë vendas dhe të huaj, brenda dhe jashtë Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të Drejtave të Njeriut dhe në vende të tjera.